Sacred Texts  Bible  World Bible  Index  Previous  Next 

Albanian Bible: Song of Solomon

1:1 Kantiku i kantikëve që është i Salomonit.

1:2 Më puth me të puthurat e gojës së vet! Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.

1:3 Nga aroma e vajrave të tua të këndshme emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur; prandaj të duan vajzat.

1:4 Tërhiqmë te ti! Ne do të rendim pas teje! Mbreti më çoi në dhomat e tij. Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te ti; ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën. Kanë të drejtë që të duan.

1:5 Unë jam e zezë por e bukur, o bija të Jeruzalemit, si çadrat e Kedarit, si perdet e Salomonit.

1:6 Mos shikoni se jam e zezë, sepse dielli më ka nxirë. Bijtë e nënes sime janë zemëruar me mua; më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur.

1:7 Thuamë, o ti që të dashuron zemra ime, ku e kullot kopenë dhe ku e lë të pushojë në mesditë. Pse vallë duhet të jem si një grua e mbuluar me vel pranë kopeve të shokëve të tu?

1:8 Në rast se ti nuk e di, o më e bukura e grave, ndiq gjurmët e kopesë dhe kulloti kecat e tua pranë çadrave të barinjve.

1:9 Mikesha ime, ti më ngjan si pela ime midis qerreve të Faraonit.

1:10 Faqet e tua janë të bukura me ornamente, dhe qafa jote me gjerdane margaritaresh.

1:11 Ne do të bëjmë për ty gjerdane të arta me tokëza prej argjendi.

1:12 Ndërsa mbreti është ulur në tryezë, livanda ime përhap aromën e saj.

1:13 Kënaqësia ime është një qeskë e vogël mirre; ajo do të pushojë tërë natën midis gjive të mia.

1:14 Kënaqësia ime është për mua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit.

1:15 Ti je e bukur, mikja ime, ja, je e bukur! Sytë e tu janë si ato të pëllumbeshave.

1:16 Sa i bukur je, i dashuri im, madje dhe i dashurueshëm! Për më tepër shtrati ynë është blerosh.

1:17 Trarët e shtëpive tona janë prej kedri dhe tavanet tona prej qiparisi.

2:1 Unë jam trëndafili i Sharonit, zambaku i luginave.

2:2 Si një zambak midis gjembave, ashtu është mikesha ime midis vajzave.

2:3 Si një mollë midis pemëve të pyllit kështu është i dashuri im midis të rinjve. Kam dëshëruar shumë të rri në hijen e tij dhe aty jam ulur, fryti i tij ishte i ëmbël në gojën time.

2:4 Më çoi në shtëpinë e banketit dhe flamuri i tij mbi mua është dashuria.

2:5 Më mbani me pite rrushi, më përtërini me mollë, sepse unë vuaj nga dashuria.

2:6 Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon.

2:7 Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t'i pëlqejë

2:8 Ja zëri i të dashurit tim! Ja, ai vjen duke kërcyer mbi malet, duke u hedhur mbi kodrat.

2:9 I dashuri im i përngjan një gazele apo një dreri të ri. Ja ku është prapa murit tonë, shikon nga dritaret, hedh vështrime nëpërmjet hekurave të tyre.

2:10 I dashuri im më ka folur dhe më ka thënë: "Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!

2:11 Sepse, ja, dimri ka kaluar, shiu pushoi, iku.

2:12 Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi, dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës.

2:13 Fiku nxjerr fiqtë e tij të papjekur, vreshtat në lulëzim përhapin një aromë të këndshme. Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja.

2:14 O pëllumbesha ime, që rri në të çarat e shkëmbinjve, në strukat e rrëmoreve, ma trego fytyrën tënde, më bëj ta dëgjoj zërin tënd, sepse zëri yt është i këndshëm dhe fytyra jote është e hijshme".

2:15 I zini dhelprat, dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tona janë në lulëzim.

2:16 I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve.

2:17 Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im, dhe sillu si një gazelë o një drenushë mbi malet që na ndajnë.

3:1 Mbi shtratin tim gjatë natës kërkova atë që dashuron zemra ime, e kërkova, por nuk e gjeta.

3:2 Tani do të ngrihem dhe do të shkoj rrotull nëpër qytet, nëpër rrugët dhe nëpër sheshet do të kërkoj atë që do zemra ime. E kërkova, por nuk e gjeta.

3:3 Rojet që sillen nëpër qytet më takuan. I pyeta ata: "A e patë atë që do zemra ime?".

3:4 Sapo i kalova, gjeta atë që do zemra ime. E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis deri sa ta çoj në shtëpinë e nënes sime dhe në dhomën e asaj që më ka ngjizur.

3:5 Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat e fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurin time deri sa kështu t'i pëlqejë.

3:6 Kush është ajo që vjen nga shkretëtira, si kollona tymi, e parfumuar me mirrë dhe temjan dhe me lloj-lloj pluhurash aromatikë të tregëtarëve?

3:7 Ja shtrati i Salomonit, rreth të cilit qëndrojnë gjashtëdhjetë njerëz guximtarë, trima të Izraelit.

3:8 Të gjithë përdorin shpatën, janë të rrahur në çështjen e luftës; secili mban shpatën në ijë për tmerret e natës.

3:9 Mbreti Salomon i ka bërë vetes një lektizë me dru Libani.

3:10 I ka bërë kolonat e saj prej argjendi, shpinzën e saj prej ari, ndenjësen prej purpuri; pjesa e brendëshme e saj është qendisur me dashuri nga bijat e Jeruzalemit.

3:11 Dilni, bija të Sionit, soditni mbretin Salomon me kurorën me të cilën e ka kurorëzuar e ëma, ditën e dasmës së tij, ditën e gëzimit të zemrës së tij.

4:1 Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Sytë e tu prapa velit tënd janë si ato të pëllumbeshave; flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin në malin Galaad.

4:2 Dhëmbët e tua janë si një kope delesh të qethura, që kthehen nga vendi i larjes; të gjitha kanë binjakët e tyre dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë.

4:3 Buzët e tua janë si një fije e kuqe flakë, dhe goja jote është e këndshme; tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege.

4:4 Qafa jote është si kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat të njerëzve trima.

4:5 Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve.

4:6 Përpara se flladi i ditës të ndihet dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit.

4:7 Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë.

4:8 Eja me mua nga Libani, o nusja ime, eja me mua nga Libani! Shiko nga maja e Amanas, nga maja e Senirit dhe e Hermonit, nga strofkat e luanëve dhe nga malet e leopardëve.

4:9 Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate.

4:10 Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat!

4:11 Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë, mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde, dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit.

4:12 Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur, një burim i mbyllur, gurrë e vulosur.

4:13 Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte të zgjedhura me bimë të alkanës me nardo,

4:14 me nardo dhe kroko, kanellë dhe çinamom, me të gjitha llojet e drurëve të temjanit, të mirrës dhe të aloes, me të gjitha aromat më të mira.

4:15 Ti je një burim lulishtesh, një pus ujërash të freskëta, rrëkesh që dalin nga Libani.

4:16 Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim, dhe aromat e tij të përhapen! Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij dhe të hajë frytet e zgjedhura!

5:1 Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime, mblodha mirrën time me balsamin tim, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim. Shokë, hani, pini; po, dehuni, o të dashur!

5:2 Unë flija, por zemra ime përgjonte. Dëgjoj zërin e të dashurit tim, që troket dhe thotë: "Hapma, motra ime, mikja ime, pëllumbesha ime, e përkryera ime, sepse koka ime është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia gjithë cirka të natës.

5:3 E hoqa rrobën time, si mund ta vesh përsëri? I lava këmbët, si mund t'i fëlliq përsëri?

5:4 I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës, dhe të përbrëndshmet e mia u ngashërryen nga ai.

5:5 U ngrita për t'i hapur derën të dashurit tim, dhe nga duart e mia pikoi mirra, nga gishtërinjtë e mi mirra e lëngët, që rridhte mbi dorezën e bravës.

5:6 Ia hapa të dashurit tim, por i dashuri im ishte tërhequr dhe kishte ikur; zemra ime ligshtohej kur ai fliste. E kërkova, por nuk e gjeta; e thirra, por ai nuk m'u përgjigj.

5:7 Rojet që sillen nëpër qytet më gjetën, më rrahën, më plagosën; rojet e mureve më çorën velin.

5:8 Unë ju lutem shumë, o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t'i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.

5:9 Çfarë ka më tepër i dashuri yt se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, përse përgjërohesh kështu?

5:10 I dashuri im është i bardhë dhe i kuq, ai dallon ndër dhjetë mijë veta.

5:11 Koka e tij është ar i kulluar, kaçurelat e flokëve të tij janë rica-rica, të zeza korb.

5:12 Sytë e tij janë si ato të pëllumbit pranë rrëkeve të ujit, të lara në qumësht, të ngallmuara si një gur i çmuar në një unazë.

5:13 Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike; buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët.

5:14 Duart e tij janë unaza ari, të stolisura me gurë të çmuar; barku i tij është i fildisht që shndrit, i mbuluar me safire.

5:15 Këmbët e tij janë kollona mermeri të mbështetura në themele ari të kulluar. Pamja e tij është si Libani, madhështore si kedrat.

5:16 Goja e tij është vetë ëmbëlsia; po, ai është tërheqës në çdo pikpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jeruzalemit.

6:1 Ku shkoi i dashuri yt, o më e bukura midis grave? Ku shkoi i dashuri yt, që të mund ta kërkojmë bashkë me ty?

6:2 I dashuri im zbriti në kopshtin e tij, në lehet e balsamit për të kullotur kopenë në kopshtet dhe për të mbledhur zambakë.

6:3 Unë jam e të dashurit tim dhe i dashuri im është imi; ai e kullot kopenë midis zambakëve.

6:4 Mikja ime, ti je e bukur si Tirtsahu, i hijshëm si Jeruzalemi, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur.

6:5 Largo nga unë sytë e tu, sepse më turbullojnë. Flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin mbi malin e Galaadit.

6:6 Dhëmbët e tua janë si një kope dhensh, që kthehen nga vendi ku lahen; të gjitha kanë binjakë dhe asnjëra prej tyre nuk është shterpe.

6:7 Tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një rriskë shege.

6:8 Aty ka gjashtëdhjetë mbretëresha dhe tetëdhjetë konkubina, si dhe vajza pa numërim.

6:9 Por pëllumbesha ime, e përkryera ime, është e vetme; nëna e ka të vetme, e përzgjedhura e saj që e ka pjellë. Vajzat e kanë parë dhe e kanë shpallur të lume, po, edhe mbretëreshat dhe konkubinat, e kanë lavdëruar.

6:10 Kush është ajo që shfaqet si agimi, e bukur si hëna, e pastër si dielli, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur?

6:11 Unë zbrita në kopshtin e arrave për të parë bimët e blerta të luginës, për të parë në se hardhitë ishin në lulëzim dhe shegët kishin bulëzuar.

6:12 Nuk e di si, por dëshira ime më vuri mbi qerret e popullit tim fisnik.

6:13 Kthehu, kthehu, o Shulamite, kthehu, kthehu, që të mund të të admirojmë. Çfarë shikoni te Shulamitja? Si një valle me dy grupe?

7:1 Sa të bukura janë këmbët e tua në këpucë, o bija e princit! Pjesët e rrumbullakta të ijëve të tua janë si stolira, vepër e dorës së një artisti.

7:2 Kërthiza jote është një kupë e rrumbullakët, ku nuk mungon kurrë vera aromatike. Barku yt është një tog gruri, i rrethuar nga zambakë.

7:3 Dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjel, binjake të gazelave.

7:4 Qafa jote është si një kullë fildishi, sytë e tu janë si ato të pellgjeve të Heshbonit pranë portës së Bath-Rabimit. Hunda jote është si kulla e Libanit, që shikon në drejtim të Damaskut.

7:5 Koka jote lartohet mbi ty si Karmeli dhe flokët e kokës sate janë purpur; një mbret u zu rob i gërshetave të tua.

7:6 Sa e bukur je dhe sa e hijshme je, o e dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron!

7:7 Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës dhe sisët e tua janë si vile.

7:8 Kam thënë: "Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj". Qofshin sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve,

7:9 dhe të puthurat e gojës sate si një verë e zgjedhur, që zbret ëmbël për të kënaqur dëshirën time, duke çikur shumë lehtë buzët e atij që fle.

7:10 Unë jam e të dashurit tim dhe ai më dëshiron.

7:11 Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha, ta kalojmë natën nëpër fshatra!

7:12 Të çohemi shpejt në mëngjes për të shkuar në vreshtat dhe për të parë në qoftë se vreshti ka lëshuar llastarë, në se kanë çelur lulet e tij dhe në se shegët kanë lulëzuar. Aty do të jap dashurinë time.

7:13 Madërgonat përhapin aromën e tyre dhe mbi portat tona ka fryte të zgjedhura të çdo lloji, të freskëta dhe të thata, që i kam ruajtur për ty, i dashuri im.

8:1 Ah, sikur të ishe ti si një vëllai im, që mënd në gjitë e nënës sime! Duke të gjetur jashtë do të të puthja, dhe askush nuk do të më përçmonte.

8:2 Do të të çoja dhe do të fusja në shtëpinë e nënës sime; ti do të më mësoje dhe unë do të të jepja për të pirë verë aromatike, lëng nga shega ime.

8:3 Dora e tij e majtë qoftë nën kokën time dhe e djathta e tij më përqafoftë!

8:4 O bija të Jerzalemit, ju lutem shumë, mos e shqetësoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t'i pëlqejë.

8:5 Kush është ajo që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj? Të kam zgjuar nën mollën, ku nëna jote të ka lindur, ku ajo që të ka lindur të ka nxjerrë në dritë.

8:6 Më vër si një vulë mbi zemrën tënde, si një vulë mbi krahun tënd; sepse dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si Sheoli. Flakët e saj janë flakë zjarri, një flakë që përvëlon.

8:7 Ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin. Në rast se dikush do të jepte tërë pasuritë e shtëpisë së tij në këmbim të dashurisë, do të përbuzej me siguri.

8:8 Ne kemi një motër të vogël që ende nuk ka sisë; çfarë do të bëjmë për motrën tonë ditën që do të flitet për të?

8:9 Në qoftë se është një mur, do të ndërtojmë mbi të një pallat prej argjendi; në qoftë se është një portë, do ta forcojmë me dërrasa kedri.

8:10 Unë jam një mur, dhe sisët e mia janë si kulla; prandaj në sytë e tij jam bërë si ajo që ka gjetur paqen.

8:11 Salomoni kishte një vresht në Baal-Hamon; ai ua besoi disa rojtarëve, secili prej tyre duhet t'i çonte si fryt të tij një mijë sikla argjendi.

8:12 Vreshti im, që është imi, ndodhet para meje. Ti, Salomon, mbaji një mijë siklat dhe rojtarët e frytit të tij marrshin dyqind.

8:13 Ti që banon në kopshte, shokët po dëgjojnë zërin tënd; bëj ta dëgjoj edhe unë.

8:14 Eja shpejt, i dashuri im, dhe ngjaji një gazele apo një sute në malet e aromave!


Next: Isaiah